BRUKSEL– Diaspora shqiptare ka një dimension që shumë pak përmendet në Shqipëri dhe mediat shqiptare,
dimensionin universitar dhe akademik. Në të shumtën e rasteve diaspora jonë përmendet për
remitancat dhe prurjet monetare drejt shumë familjeve me probleme jo të vogla financiare në vendin
tonë. Por fatmirësisht, diaspora shqiptare ështe e mbushur me të rinj e të reja që kanë arritur të spikasin
me talentin dhe punën e tyre edhe në jetën akademike e universitare në Europë e më gjërë.
Një nga këta shqiptarë të rinj që ka arritur që të shkëlqejë në auditoret universitare europiane është
Kristian Mëlyshi. Para pak javësh në kryeqendrën administrative të Europës, në Bruksel, në një nga
sheshet të cilësuar si më të bukur e xixëllues të botës, në Grand Place u mbajt ceremonia e diplomimit të
qindra të rinjve nga e gjithë bota që studiojnë në një nga hapsirat universitare me prestigjoze në Europë,
në Universitetin e Lirë të Brukselit. Një nga të rinjtë që parakaloi në ballkonin e të diplomuarve ishte
edhe Kristian Mëlyshi.
Gjatë verës, Ndue Mëlyshi, babai i Kristianit ndërroi jetë tragjikisht në Bruksel. Largimi i tij nga jeta u
pasqyrua gjërësisht nga mediat belge dhe shqiptare. Komuniteti belg i zonës, i banuar nga qytetarë nga
mbarë bota i bënë homazhe masivisht Ndue Mëlyshit, i cili ishte një sipërmarrës i suksesshëm në
komunitetin shqiptar në Bruksel. Gjithashtu, një nga banorët e zonës që u prek nga lajmi i papritur ishte
edhe aktori me famë botërore, njëkohësisht mik i babait të ndjerë të Kristianit dhe familjes së tij Jean
Claude Van-Dam, i cili me anë të nje video homazhi shprehu ngushëllimet e tij për humbjen e Ndue
Mëlyshit.

Ndërkaq, i riu 25-vjeçar i diplomuar në nivel master në degën e ekonomi-biznesit arriti të shpërblente
mësë miri në këtë mënyrë mundin dhe sakrificat e familjes së tij. Arritja universitare e Kristianit ishte një
amanet i plotësuar i babait të ndjerë i cili gjatë jetës së tij bashkë më familjen e tij kaloi një kalvar
sakrificash e mundimesh. Familja Mëlyshi ka qenë një nga familjet e goditura që vuajti persekucionin e
ashpër të regjimit të shkuar, antarë të shumtë të saj janë pushkatuar pa gjyq, dënuar me vite burgim,
internim, dhe privuar nga të drejta elementare, siç është e drejta për arsimim.



