Shumë njerëz e nisin ditën me një pije të preferuar, si kafeja apo një lëng frutash, por ekspertët e ushqyerjes paralajmërojnë se disa pije nuk duhen konsumuar kurrë me stomakun bosh.
Arsyeja është se stomaku bosh është shumë më i ndjeshëm dhe disa pije mund të irritojnë mukozën e tij, të shkaktojnë luhatje të shpejta të sheqerit në gjak apo shqetësime si urthi, të përzierat, fryrja dhe ndjesia e dobësisë.
Sipas nutricionistëve, pijet e mëposhtme duhen shmangur kur nuk keni ngrënë ende asgjë:
Kafeja
Edhe pse është zgjedhja më e zakonshme e mëngjesit, kafeja është ndër më problematiket kur konsumohet me stomak bosh. Ajo stimulon prodhimin e acidit gastrik, duke rritur rrezikun për urth, dhimbje stomaku dhe acarim afatgjatë. Gjithashtu, mund të shkaktojë nervozizëm dhe rritje të rrahjeve të zemrës. Ekspertët këshillojnë të konsumohet pas një vakti ose të paktën pas një meze të vogël.
Alkooli
Me stomak bosh, alkooli absorbohet shumë më shpejt në gjak, duke prodhuar efekte më të forta dhe më të menjëhershme. Kjo mund të çojë në marramendje, të përziera, ulje të sheqerit në gjak dhe ngarkesë të shtuar për mëlçinë.
Pijet e gazuara
Pijet e gazuara, përfshirë edhe ujin mineral, mund të shkaktojnë fryrje dhe parehati kur konsumohen me stomak bosh. Acidet dhe sheqernat që përmbajnë irritojnë më tej stomakun.
Lëngjet e frutave, sidomos agrumet
Edhe pse perceptohen si të shëndetshme, lëngjet e frutave janë të pasura me acide dhe sheqerna natyralë. Kur konsumohen me stomak bosh, ato mund të acarojnë stomakun dhe të shkaktojnë rritje të shpejtë të glukozës në gjak, e ndjekur nga një rënie e menjëhershme e energjisë.
Pijet energjike
Kombinimi i kafeinës, sheqerit dhe stimuluesve të tjerë i bën pijet energjike veçanërisht të dëmshme me stomak bosh. Ato mund të shkaktojnë palpitacione, nervozizëm dhe lodhje të menjëhershme pas efektit fillestar.
Ekspertët theksojnë se zgjedhja më e sigurt në mëngjes është një gotë ujë ose një çaj bimor i butë. Pijet e tjera është më mirë të konsumohen gjatë ose pas vakteve. Ndryshime të vogla në zakonet e përditshme mund të kenë ndikim të madh në tretje dhe në mirëqenien e përgjithshme të trupit.


