Vizita e parë zyrtare e ministres së Evropës dhe Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Eliza Spiropali, në Athinë, e planifikuar për pasnesër, ka ngjallur interes të veçantë në Greqi. Sinjal i qartë i këtij interesi është edhe intervista e saj për gazetën prestigjioze greke “Ta Nea”, ku kryediplomatja shqiptare flet hapur për të ardhmen e marrëdhënieve dypalëshe.
Spiropali shprehet se vjen në Athinë e vendosur të diskutojë “për gjithçka” me homologun e saj grek, Jorgo Gerapetritis, duke e cilësuar Greqinë një partner strategjik kyç për Shqipërinë. Ajo thekson se dialogu mes dy vendeve duhet të jetë gjithëpërfshirës, “360 gradë”, duke përfshirë si bashkëpunimin ekzistues, ashtu edhe fushat ku ka hapësirë për zgjerim dhe thellim të mëtejshëm.
Sipas ministres, marrëdhëniet Shqipëri–Greqi mund të avancojnë ndjeshëm në sektorë strategjikë si energjia, veçanërisht burimet e rinovueshme dhe siguria energjetike rajonale, mbrojtja e mjedisit, transformimi dixhital, turizmi dhe siguria. “Le të nisim kapitullin më të mirë deri tani në marrëdhëniet tona”, deklaron Spiropali.
E pyetur për çështjet ende të hapura mes dy vendeve, përfshirë delimitimin e zonave detare, ajo nënvizon se Shqipëria mbetet e përkushtuar për t’i zgjidhur ato në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e fqinjësisë së mirë, duke lënë të hapur si dialogun politik, ashtu edhe rrugët ligjore ndërkombëtare.
Një vëmendje të veçantë ministrja i kushton edhe diasporës shqiptare në Greqi, duke paralajmëruar se do të ngrejë çështje që lidhen me lehtësimin e procedurave administrative, futjen e gjuhës shqipe si lëndë me zgjedhje në shkollat greke, si dhe finalizimin e marrëveshjes për sigurimet shoqërore, që garanton pensionet dhe kontributet e emigrantëve shqiptarë.
Në fund, Spiropali ndalet edhe te integrimi evropian, të cilin e cilëson një objektiv strategjik dhe një domosdoshmëri praktike për Shqipërinë. Ajo vlerëson mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë dhe shprehet optimiste se presidenca greke e BE-së në vitin 2027 do ta mbajë zgjerimin dhe Ballkanin Perëndimor në qendër të axhendës evropiane.


