Një 43 vjeçar me inciale E. S., banues në Greqi ka hasur pengesa policore për të kaluar nga Shqipëria për në shtetin fqinj.
Sipas hetimeve të kryera mësohet se E. S., tentoi të kalonte kufirin e Shqipërisë me rreth 30 mijë euro të padeklaruara.
Si rrjedhojë policia nisi procedimet penale mbi shtetasin në fjalë i cili mund të akuzohet për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Si provë materiale policia sekuestroi shumën e parave.
Njoftimi i Policisë
Tentoi të dilte nga Shqipëria, me 29 850 euro të padeklaruara, procedohet penalisht 43-vjeçari.
Sekuestrohet shuma e parave.
Si rezultat i rritjes së vigjilencës së shërbimeve të Policisë Kufitare, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve në kufi, në PKK Kakavijë, në dalje të Shqipërisë, u krye kontroll në çantën e shtetasit E. S., ku u gjetën 29 850 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar konform ligjit.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, për shtetasin E. S., 43 vjeç, banues në Greqi. Gjithashtu, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, shuma e eurove.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.


