Bashkimi Europian do të vijojë të financojë programet IPA në Shqipëri, duke vënë në dispozicion 100 mln euro për periudhën 2025–2027. Fondet janë pjesë e programit IPA III dhe synojnë forcimin e institucioneve, sundimin e ligjit dhe integrimin ekonomik të vendit me BE-në.
Sipas vendimit të marrëveshjes së financimit e botuar në Fletoren Zyrtare shuma prej 100 mln euro do të disbursohet në tre vite. Për vitin 2025 do të disbursohen 33,5 mln euro; 30 mln euro në vitin 2026 dhe 36,4 mln euro në vitin 2027
Në vendimin “Për miratimin e marrëveshjes së financimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, dhe Komisionit Evropian, për planin shumëvjeçar të veprimit në favor të Shqipërisë, për vitet 2025–2027, në kuadër të instrumentit të asistencës së paraanëtarësimit (IPA III)”, Komisioni Europian thekson se angazhimet për vitet 2026 dhe 2027 varen nga miratimi i buxhetit vjetor të BE-së.
Fokusi kryesor i financimit të programit do të jetë i ndarë në disa shtylla.
Shtylla për “Sundimin të ligjit, të drejtat themelore dhe demokracia”. Një pjesë e rëndësishme e fondeve shkon për vijimin e Reformës në Drejtësi, e konsideruar si arritja më e madhe e Shqipërisë drejt forcimit të institucioneve dhe pavarësisë gjyqësore.
Programi synon: forcimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), rritjen e kapaciteteve të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD), mbështetjen e SPAK dhe Zyrës Kombëtare të Hetimit, përballimin e mungesës së magjistratëve, që sipas të dhënave, në vitin 2023 ishin vetëm 60.5% aktive. BE do të financojë edhe vijimin e transformimit gjyqësor pas riorganizimit të gjykatave të apelit dhe shkallës së parë.
Për shtyllën e “Qeverisjes së Mirë dhe Administrata Publike” programi IPA III mbështet zbatimin e Udhërrëfyesit për Reformën e Administratës Publike 2023–2030, që synon modernizimin e shërbimit civil dhe politikave publike. Do të përfshihet edhe mbështetja për forcimin e kapaciteteve të burimeve njerëzore, përmirësimi i menaxhimit të financave publike, avancimi i digjitalizimit, rritja e transparencës dhe lufta kundër korrupsionit.
Krijimi i pozicionit të Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin në 2024 shihet si hap drejt koordinimit më efikas të reformave.
Një tjetër shtyllë financimi lidhet me ekonominë e gjelbër dhe zinxhirët e furnizimit industrial të BE-së.
Fokusi kryesor do të jenë lëndët e para kritike (Critical Raw Materials Act – CRMA), integrimi i Shqipërisë në zinxhirët e furnizimit të BE-së, prodhimi dhe përpunimi i qëndrueshëm i lëndëve kritike, përmbushja e standardeve të BE-së për mjedisin, transparencën dhe qëndrueshmërinë.
Veprimi është në përputhje edhe me Planin Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor dhe me Planin e Ri të Rritjes./Monitor
“Kush e lë me gisht në gojë Arbana Osmanin?” Moderatorja i kundërpërgjigjet Olti Currit: Budall…


