TIRANË– Këshilli i Lartë i Prokurorisë votoi me 11 vota Joni Ketën si kreun e ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit, duke zëvendësuar, Aida Hajnaj.
Keta i cili ka një eksperiencë në këtë institucion do të mbajë një mandat 5-vjeçar. Deri tani Keta mbante postin e zv.drejtorit të Byrosë dhe u propozua si drejtues në finale të një procesi që zgjati disa muaj. Ai u propozua nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) dhe mori 11 vota pro dhe asnjë kundër. I gjithë procesi u ndoq edhe nga përfaqësues të ambasadës amerikane në Tiranë dhe asaj të BE.
Në garë për drejtimin e strukturës që ndihmon SPAK në hetime ishin 7 kandidatë, përfshirë zyrtarë të lartë policie, por edhe prokurorë.
Në mandatin e parë 5-vjeçar struktura e njohur ndryshe si “FBI-ja shqiptare” u drejtua nga Aida Hajnaj. Sipas procedurës dhe rregullores, KLP do të votojë nëse e pranon propozimin e SPAK, për të zgjedhur Joni Ketën në krye të BKH-së, për një mandat 5 vjeçar. Joni Keta arriti të fitonte në garën me 7 kandidatët e tjerë që kishte përballë: Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj dhe Gledis Nano./Radar.al


