Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur ankimin në Gjykatën e Posaçme të Apelit për procedimin pasuror nr. 9/2025, i cili vijon të hetohet dhe lidhet me sekuestrimin e pasurive të Nikolla Hafësllarit dhe personit të lidhur me të, Erjol Mekshi.
Hafësllari akuzohet për veprën penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, bazuar në nenet 245/1 dhe 25 të Kodit Penal.
Ankimi i Prokurorisë së Posaçme i ishte drejtuar vendimit nr.18, datë 24.10.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë. Pas shqyrtimit, Gjykata e Apelit, me vendimin nr.262 datë 2.12.2025, vendosi ndryshimin e këtij vendimi dhe miratimin e kërkesës së SPAK për vendosjen e sekuestros mbi pasuritë e të hetuarit.
Pasuritë e sekuestruara janë:
Garazh nr. 6, kati -1, rruga “Pjetër Bogdani”, Mëzez, Tiranë
Garazh nr. 7, kati -1, rruga “Pjetër Bogdani”, Mëzez, Tiranë
Automjet “Audi” A6, viti 2005
Apartament nr.19/1, shkalla 2, kati III, 87.89 m², rruga “Pjetër Bogdani”, Mëzez, Tiranë
Apartament nr.21, shkalla 2, kati III, 61.89 m², rruga “Pjetër Bogdani”, Mëzez, Tiranë
Për zbatimin e vendimit janë ngarkuar oficerët e Policisë Gjyqësore dhe përfaqësuesit e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, të cilët do të administrojnë dhe përdorin pasuritë e vijës së sekuestros.


