Numri i viktimave nga zjarri tragjik që përfshiu këtë javë një kompleks banesor në Hong Kong është rritur në 146, konfirmoi policia ditën e diel, më 30 nëntor.
Zyrtarët e Njësisë së Identifikimit të Viktimave të Fatkeqësive kanë gjetur trupa të tjerë teksa shtrinë kërkimet në tre blloqe të tjera të ndërtesës Wang Fuk Court — ngjarja e cila po cilësohet si zjarri më vdekjeprurës në një ndërtesë banimi në botë që prej vitit 1980.
“Shefja e njësisë, Tsang Shuk-yin, deklaroi se bilanci i viktimave ka arritur në 146 dhe paralajmëroi se numri mund të rritet më tej, pasi kërkimet vijojnë.
Të dielën, mbi 1.000 persona nga i gjithë qyteti u mblodhën në distriktin Tai Po për të nderuar viktimat e tragjedisë.
Autoritetet kanë ngritur një grup të përbashkët hetimor për të zbuluar shkakun e zjarrit. Njësia kundër korrupsionit ka arrestuar 11 persona, ndërsa tre prej tyre janë ndaluar gjithashtu nga policia nën akuzën e “vrasjes nga pakujdesia”.
Konsullata indoneziane konfirmoi vdekjen e shtatë shtetasve indonezianë, ndërsa Konsullata e Filipineve njoftoi se një punëtore filipinase ka humbur jetën në zjarr.
Në reagim ndaj tragjedisë, Departamenti i Ndërtesave të Hong Kongut ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm të punimeve në 30 projekte private ndërtimi në të gjithë qytetin.


