Një 39-vjeçar nga Fieri është arrestuar në Athinë, në kuadër të një hetimi të gjerë ndërkombëtar që ka zbuluar një nga skemat më të sofistikuara të trafikut të kokainës midis disa kontinenteve.
Osmen Hoxha, i kërkuar nga autoritetet belge me urdhër arresti të Interpolit, dyshohet se kishte rol qendror në një rrjet që transportonte tonelata kokaine nga Amerika Latine drejt Europës.
Hetimi nisi në Belgjikë, pasi në portin e Antwerpit u sekuestrua një kontejner me 500 kg kokainë të pastër — një sasi që autoritetet e quajtën vetëm “maja e ajsbergut”. Përgjimet zbuluan komunikime ku përmendeshin “3.500 copë”, të interpretuara si kilogramë kokaine.
Sipas dosjes, rrjeti funksiononte si një strukturë shumëkombëshe, me:
• “shtëpi të sigurta” në Belgjikë, Spanjë dhe Greqi;
• apartamente të dedikuara për ripaketim;
• kompani transporti që shërbenin si mbulesë;
• ndërmjetës që lëviznin midis Ballkanit dhe Evropës Veriore;
• komunikime të koduara dhe bashkëpunëtorë brenda porteve.
Droga vinte nga Ekuadori, kalonte përmes Rusisë, dhe shkarkohej në “pika sterile” në Antwerp, ku ndahej dhe shpërndahej. Çdo ngarkesë vlente dhjetëra milionë euro.
Hoxha dyshohet se ishte personi që koordinonte lëvizjet, jepte udhëzime dhe mbante lidhjet mes Evropës, Shqipërisë dhe Amerikës Latine. Arrestimi i tij në Athinë nga Agjencia Greke Kundër Drogës hapi rrugën për procedurat e ekstradimit drejt Belgjikës.
Avokati i tij, Sakis Kechagioglou, deklaroi se mbrojtja kërkon që gjykimi të zhvillohet në Belgjikë, ku maksimumi i dënimit është 15 vjet, ndërsa në Greqi akuza të tilla mund të çojnë edhe në burg përjetë.
Ky operacion vlerësohet si një nga më të rëndësishmit e viteve të fundit, pasi për herë të parë autoritetet ndërkombëtare kanë arritur të lidhin në një zinxhir të vetëm itinerarin e trafikut:
Ekuador – Belgjikë – Spanjë – Greqi – Shqipëri – Rusi.
Arrestimi në Athinë u kthye në pikën e nisjes së një efekti domino që lejoi zbërthimin e rrjetit.


