Qindra qytetarë nga Kosova kanë zgjedhur Shqipërinë për të kaluar festat kombëtare, duke shkaktuar fluks të shtuar në Pikën Kufitare të Morinës.
Të ardhur me mjete private dhe në grupe të organizuara, shumica kanë kaluar përmes Morinës drejt destinacioneve të preferuara, me Vlorën kryesisht në krye të listës, por vizitorët planifikojnë të eksplorojnë edhe qytete të tjera bregdetare dhe historike.
Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, në pikën kufitare kanë hyrë 17,789 shtetas dhe 4,651 automjete, përfshirë 64 autobusë. Autoritetet kufitare raportojnë se fluksi është i pritshëm për shkak të festave dhe menaxhohet pa vonesa.
Për të përballuar numrin e madh të udhëtarëve, në Morinë janë vënë në funksion 10 sportele, si në hyrje ashtu edhe në dalje, duke lehtësuar lëvizjen sipas marrëveshjes së lëvizjes së lirë mes Shqipërisë dhe Kosovës.


