Reshjet e fuqishme të ditëve të fundit kanë shkaktuar një situatë dramatike në zonën e Çukës në Sarandë, ku çarja e argjinaturës ka sjellë përmbytjen e stallave dhe humbjen masive të bagëtive. Më shumë se 700 krerë bagëti të imta raportohet të jenë mbytur, duke goditur rëndë familjet që prej dekadash jetojnë vetëm nga blegtoria.
Një prej më të goditurve është bariu Shkëlqim Çaushaj, i cili humbi rreth 40 krerë në pak minuta. Ai rrëfen se gjithçka ndodhi me shpejtësi, dhe përveç kafshëve, edhe vetë banorët rrezikuan jetën.
“Katastrofë si kjo nuk ka bërë vaki. Kemi 30 vjet këtu dhe s’na ka ndodhur kurrë që të çahet argjinatura kështu. Më janë mbytur nja 40 krerë. Kur erdhëm, stalla ishte plot me ujë dhe nuk kishim mundësi të shpëtonim asnjë. O burra ikëm edhe ne, se mos na merrte uji. Nuk dimë çfarë do bëjmë… Po na ndihmoi shteti, faleminderit,” – tha Çaushaj.
Autoritetet lokale po vlerësojnë dëmet, ndërsa banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente për të shmangur përkeqësimin e situatës dhe për të marrë mbështetjen e nevojshme pas katastrofës.


