Bilanci i viktimave nga përmbytjet masive që kanë goditur Vietnamin është rritur në të paktën 90 persona, sipas raportimit më të fundit të Ministrisë së Mjedisit. Shirat e rrëmbyeshëm gjatë javës së fundit kanë shkaktuar situata dramatike, veçanërisht në provincën malore qendrore të Dak Lak, ku janë shënuar më shumë se 60 humbje jete dhe dhjetëra mijëra shtëpi janë përmbytur.
Në bilancin e mëparshëm flitej për 55 viktima, ndërsa shifrat e reja tregojnë për një përkeqësim të ndjeshëm të situatës.
Rajonet jugore dhe qendrore të Vietnamit po përballen me reshje të pandërprera që nga fundi i tetorit, duke sjellë përmbytje të përsëritura në zona turistike dhe monumente historike. Lagje të tëra në qytetin bregdetar Nha Trang u zhytën nën ujë javën e kaluar, ndërsa Da Lat, një nga destinacionet më të njohura turistike, është goditur nga rrëshqitje dheu.
Situata mbetet kritike edhe në infrastrukturë: shumë segmente të autostradave dhe rrjedha të hekurudhës janë të pakalueshme. Po ashtu, mbi 129 mijë abonentë vazhdojnë të jenë pa energji elektrike, nga afro një milion qytetarë që pësuan ndërprerje gjatë javës së kaluar.
Sipas Ministrisë së Mjedisit, dëmet ekonomike në pesë provincat më të prekura vlerësohen në rreth 300 milionë euro.
Ngjarjet ekstreme të motit po bëhen më të shpeshta
Edhe pse Vietnamit i janë të zakonshme shirat e dendura nga qershori në shtator, shkencëtarët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po i shpeshtojnë dhe po i rëndojnë ndjeshëm këto fenomene. Çdo gradë Celsius më shumë në temperaturën globale rrit aftësinë e atmosferës për të mbajtur lagështi me 7%, duke intensifikuar reshjet.
Nga janari në tetor të këtij viti, fatkeqësitë natyrore kanë lënë 279 persona të vdekur ose të zhdukur dhe kanë shkaktuar dëme që arrijnë në 1.7 miliardë euro. Vendi u godit nga dy tajfunë të fuqishëm në fillim të tetorit dhe një i tretë goditi disa javë më vonë.
Në fund të tetorit, qyteti historik Hue shënoi një rekord kombëtar reshjesh, duke regjistruar 1.7 metra shi brenda 24 orëve, shifra më e lartë që nga viti 1999.


