Pas dështimit të Glauk Konjufcës për krijimin e qeverisë së re, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, që është edhe deputet, akuzoi partitë e deritashme opozitare se nuk duan bashkëpunim. “Për tash e nëntë muaj partitë opozitare së bashku me listën Srpska janë barrikaduar kundër Albin Kurtit. Pra qëllimi i vetëm ishte kundër Albin Kurtit duke lënë anash interesat e qytetarëve”, tha ministri në detyrë Hekuran Murati.
Partitë opozitare akuzuan Lëvizjen Vetëvendosje dhe liderin e saj Albin Kurti si bllokues të krijimit të institucioneve. Memli Krasniqi, ish-kryetar i PDK-së, tash deputet, tha se sot “përfundimisht dolën të vërteta siç thotë paralajmërimet e tij. Nëntë muaj kaluan dhe qytetarët i patën thënë një jo të madhe referendumit që e proklamonte Kurti duke i thënë jo një qeverisje autoritare dhe autokratike. Sot s’ka mbetur të thuhet asgjë pas këtij dështimi të paralajmëruar, prandaj presidentja e Republikës së Kosovës e ka për obligim që sa më parë të shpallë datën e zgjedhjeve të parakohshme”, tha Krasniqi.
Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, tha se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme. “Ata të cilët i kanë mashtruar qytetarët se i kanë numrat, ata janë Vetëvendosja dhe atë shumicë nuk e kanë pasur dhe nuk e kishin as sot. Bllokuesi e mori përgjigjen në Kuvendin e Kosovës”, tha Zemaj.
Në mesditën e së mërkurës (19.11.2025) u mbajt edhe një seancë parlamentare për buxhetin, por vetëm me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, seancë në të cilën refuzuan të marrin pjesë partitë e deritashme opozitare, të cilat e cilësuan seancën e mesditës jokushtetuese dhe jashtë çdo praktike parlamentare. Në këtë seancë parashikohej të hidheshin në votim marrëveshjet ndërkombëtare, buxheti vjetor i shtetit për vitin 2026, buxheti për tri komuna dhe për Radio Televizionin e Kosovës, mediumin e vetëm publik, punonjësit e të cilit kanë mbetur pa paga. Përfaqësuesit e partive opozitare thanë se një qeveri në detyrë nuk mund të propozojë buxhet për vitin pasues, sepse ai buxhet do të duhej të miratohej nga legjislatura e kaluar, mandati i së cilës ka përfunduar më 9.02.2025, kur u mbajtën zgjedhjet e rregullta parlamentare.
Kosova që nga data 9 shkurt e këtij viti, kur u mbajtën zgjedhjet e rregullta parlamentare, hyri në krizë institucionale duke mos arritur që për muaj të tërë të konstituojë kuvendin dhe as të krijojë qeverinë. Kriza politike dhe institucionale mbi tetë muajshe ka bllokuar edhe ratifikimin e Marrëveshjes me Bashkimin Evropianpër Planin e Rritjes, Marrëveshjes së Facilitetit dhe Marrëveshjes së Huasë. Plani i Rritjes së BE-së përmban një paketë prej 6 miliardë eurosh për të përkrahur përafrimin e ekonomive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me standardet evropiane. Nga kjo paketë, Kosova mund të përfitonte mbi 880 milionë euro, por mosratifikimi në parlamentin e Kosovës i marrëveshjes me BE-në ka bërë që Kosova të mos marrë asnjë qindarkë nga kjo shumë, për dallim nga vendet tjera të rajonit të cilat tashmë i kanë marrë ndihmat e para nga BE-ja./REL

