POGRADEC– Pas ngjarjes së rëndë ku mbeti i vdekur 42-vjeçari, Eglantin Proga në Pogradec, për mediat kanë folur edhe njohurit e viktimës, në vendin ku ai punonte.
Ata shprehen se 42-vjeçari ishte një djalë shumë i qetë dhe që nuk ka pasur asnjëherë më parë konflikte me njerëzit.
“Unë këtu kam kaq vite me Eglin. Marrim kafe aty. Ishte shumë i qetë. Nuk e kam parë as të zihet, as të ngatërrohet, as të bërtasë. Edhe me babain e tij fliste shumë qetë. Kur ika e lash mirë. Për ngjarjen e mora vesh ditën tjetër, kur erdha në punë.”– tha një banore.
“U gjend këtu i vrarë. Ishte një djalë shumë i mirë. Më ka ardhur shumë keq, nuk kam fjetur gjumë mbrëmë. Thonë që ambulanca u vonua 30 minuta.”- u shpreh një tjetër zonjë.
“Ishte djalë i shkëlqyer. Ne dje në mëngjes e morëm vesh. U ndjemë keq, si për evlatin tonë. Mjerë babai, gruaja dhe fëmijët.”- deklaroi një tregtare.


