Vetëm pak orë pasi ministri gjerman i Mbrojtjes paralajmëroi se “Evropa mund të ketë kaluar verën e saj të fundit paqësore”, një tjetër paralajmërim i rëndë ka ardhur – këtë herë nga Polonia.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm polak, gjenerali Wiesław Kukulka, deklaroi se Rusia ka nisur përgatitjet për agresion dhe se Polonia tashmë ndodhet në një periudhë para-lufte.
“Armiku po përgatitet. Po krijon kushte për të minuar besimin e publikut tek qeveria, ushtria dhe policia – dhe për të hapur rrugën e një agresioni të mundshëm në territorin polak,” theksoi Kukulka.
Sabotim në hekurudhën Varshavë–Lublin
Alarmi i gjeneralit vjen vetëm një ditë pas sabotimit të konfirmuar në linjën hekurudhore Varshavë–Lublin. Kryeministri Donald Tusk deklaroi se shpërthimi që shkatërroi një pjesë të linjës hekurudhore ishte i qëllimshëm, duke ngritur dyshime për operacione të huaja destabilizuese.
Gjermania paralajmëron: Konflikti me Rusinë mund të shpërthejë para 2029-s
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka deklaruar se rreziku i një përplasjeje mes NATO-s dhe Rusisë po afron më shpejt se sa parashikohej.
Sipas vlerësimeve të reja të Berlinit, një përshkallëzim mund të ndodhë që në vitin 2028.
“Disa historianë ushtarakë besojnë se ne e kemi përjetuar verën e fundit paqësore,” u shpreh Pistorius, duke theksuar se vendet e NATO-s duhet të modernizojnë me urgjencë arsenalin dhe kapacitetet e tyre ushtarake.
Gjermania ka njoftuar se nga viti 2027 do të kryejë kontrolle mjekësore për të identifikuar rezervistët e rinj dhe planifikon të krijojë një forcë të madhe rezerve. Kancelari Friedrich Merz synon të bëjë Bundeswehr-in “forcën më të fortë në Evropë”.
Pistorius ka deklaruar hapur se në rast agresioni, Gjermania “do të jetë e gatshme të vrasë ushtarë rusë”, duke sinjalizuar një ndryshim të fortë të retorikës së Berlinit ndaj Moskës.
Kremlini: Tani është e qartë kush është agresori
Nga ana tjetër, Rusia reagoi ashpër. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova, akuzoi Gjermaninë për retorikë provokuese dhe tha se deklaratat e Pistorius “e bëjnë të qartë se kush po vepron si agresor”.


