Një 45-vjeçar shqiptar humbi tragjikisht jetën mëngjesin e së shtunës në Mytilene, pasi u rrëzua nga çatia e një shtëpie ku po kryente punime. Sipas raportimeve të stonisi.gr, viktima, i cili kishte vite që jetonte në Lesvos dhe njihej si njeri i qetë e i dashur nga komuniteti, ra nga një lartësi e madhe në rrethana ende të paqarta.
Burimet lokale bëjnë me dije se i ndjeri punonte çdo ditë në një restorant, ndërsa shpesh mbante edhe një punë të dytë për të plotësuar të ardhurat — pikërisht gjatë kësaj pune shtesë ai humbi jetën.
Qendra e Punës së Mytilene-s reagoi me një deklaratë të fortë, duke dënuar aksidentin dhe duke njoftuar një tubim proteste sot, të dielën, në orën 12:00 në Sheshin Sappho.
Në deklaratë theksohet se pagat e ulëta, oraret e tejzgjatura dhe kostoja e lartë e jetesës detyrojnë mijëra punonjës të marrin punë të dyta e të treta. Sipas tyre, rasti i fundit nxjerr në pah mungesën serioze të masave të sigurisë në vendet e punës, për të cilën akuzohen politikat e qeverisë aktuale dhe atyre të mëparshme.
Autoritetet greke po vijojnë hetimet për të përcaktuar saktë rrethanat e aksidentit fatal.


