Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, dha një paralajmërim të qartë për klasën politike shqiptare lidhur me ndërhyrjet e mundshme në sistemin e drejtësisë.
I ftuar në emisionin “Top Story”, Gonzato theksoi se pavarësia e gjyqësorit është e paprekshme dhe se çdo ndryshim në strukturën e reformës do të rrezikonte procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Nëse prekni sistemin e drejtësisë, kompromentoni shanset tuaja për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian,” – u shpreh Gonzato.
Diplomati europian kujtoi se reforma në drejtësi e miratuar në vitin 2016 përbën një nga arritjet më të rëndësishme të Shqipërisë, dhe se ndonëse mund të ketë nevojë për përmirësime në disa aspekte, themelët dhe arkitektura e saj nuk mund të ndryshohen.
“Njerëzit thonë se disa pjesë të gjyqësorit nuk funksionojnë mirë. Është e vërtetë që pas nëntë vitesh mund të shihet si po funksionon reforma. Por ajo që dua të theksoj është se themelet, struktura e qeverisjes, pavarësia e gjyqësorit nga ekzekutivi dhe legjislativi duhet të respektohet. Përndryshe, ne humbasim arritjen më të madhe që ka bërë Shqipëria,” – tha Gonzato.
Kur u pyet nga moderatorja Grida Duma nëse Parlamenti mund të heqë një nga strukturat e reformës, si p.sh. Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ambasadori theksoi se një veprim i tillë do të kishte pasoja të rënda politike dhe integruese.
“Parlamenti është shprehja e popullit, mund të miratojë ligje dhe të ndryshojë kushtetutën. Por mesazhi që vjen nga Brukseli është i qartë: nëse e bëni këtë, i kompromentoni shanset tuaja për anëtarësim në BE,” – tha Gonzato.
Ai përmbylli duke nënvizuar se ruajtja e pavarësisë së sistemit të drejtësisë është një kërkesë absolute e Bashkimit Evropian dhe një parakusht i panegociueshëm për integrimin europian të Shqipërisë.


