Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit të Ukrainës (NABU) ka nisur hetime ndaj Timur Midych, një bashkëpunëtori të ngushtë të presidentit Volodymyr Zelensky, lidhur me një aferë korrupsioni prej 100 milionë dollarësh në sektorin e energjisë.
Hetimi përqendrohet te kompania shtetërore bërthamore “Energoatom”, e dyshuar për marrje ryshfeti prej 10–15% nga kontraktorët privatë. Shtatë persona janë vënë nën hetim deri më tani.
Sipas autoriteteve, NABU ka bastisur banesën dhe zyrat e Midych më 10 nëntor, por ai kishte lënë vendin pak para operacionit. Midych, ish-partner biznesi dhe bashkëpronar i kompanisë “Kvartal 95” të themeluar nga vetë Zelensky, dyshohet se ka përfituar nga lidhjet me pushtetin për kontrata në sektorët e energjisë dhe mbrojtjes, duke përfshirë edhe kompanitë e prodhimit të dronëve. Mediat ukrainase e përshkruajnë atë si një “oligark de facto” me ndikim të madh ekonomik dhe politik.
Çështja ka shkaktuar reagime të forta politike, veçanërisht nga opozita e udhëhequr nga Petro Poroshenko, e cila ka kërkuar dorëheqjen e qeverisë, duke akuzuar mungesë transparence dhe keqpërdorim të pushtetit, në një kohë kur Ukraina është ende në luftë me Rusinë.
Ky është rasti i dytë brenda vitit që emri i Zelenskyt përmendet në kontekste të ndjeshme korrupsioni. Më parë, ai u kritikua për përpjekjen për të vënë NABU-në nën kontroll të drejtpërdrejtë qeveritar, një projektligj që u tërhoq pas protestave antiqeveritare.
Hetimet vazhdojnë, ndërsa NABU ka konfirmuar se po bashkëpunon me partnerë ndërkombëtarë për të zbardhur rrjetin e korrupsionit që përfshin sektorë strategjikë të ekonomisë ukrainase.


