Procesi i votimit në zgjedhjet e pjesshme lokale që u zhvilluan sot në pesë bashki – Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë – përfundoi në orën 18:00. Pas kësaj ore, sipas Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, do të lejohen të votojnë vetëm zgjedhësit të evidentuar më parë nga komisionet e qendrave të votimit.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja e përgjithshme deri në orën 17:00 ishte 17.89%, ndërsa procesi u zhvillua përgjithësisht pa incidente. Numërimi i votave pritet të nisë pas mbylljes së qendrave të votimit, dhe rezultatet paraprake do të publikohen gjatë orëve në vijim.
Në detaje:
Bashkia Vlorë: 16,828 qytetarë nga 140,815 zgjedhës të regjistruar (11.95%) votuan në 188 nga 231 qendra të raportuara.
Bashkia Berat: 12,455 votues nga 65,726 të regjistruar (18.94%) në 91 nga 116 qendra.
Bashkia Cërrik: 7,986 votues nga 32,686 (24.43%) në 48 nga 57 qendra.
Bashkia Mat: 8,146 votues nga 21,004 (38.78%) në 33 nga 47 qendra, duke shënuar pjesëmarrjen më të lartë.
Bashkia Tepelenë: 2,420 votues nga 7,184 të regjistruar në 13 nga 21 qendra.
Pas përfundimit të votimit, materialet zgjedhore do të dërgohen në KZAZ-të, ku komisionet e numërimit do të fillojnë punën për përgatitjen e rezultateve zyrtare.


