Vëllezërit Dulaku, themelues të kompanisë Tring, kanë vendosur ta shesin kompaninë tek Vertex Holding, një kompani e sapoformuar. Kontrata e shitjes është firmosur më 2 tetor 2025, por çmimi i transaksionit nuk është bërë ende publik.
Ky ndryshim i pronësisë është njoftuar edhe pranë Autoritetit të Konkurrencës, i cili më 6 tetor bëri të ditur se ka marrë informacion për një “njoftim përqendrimi” lidhur me blerjen e 100% të aksioneve të Tring TV SHA nga Vertex Holding SHPK.
Vertex Holding, blerësi i Tring, është krijuar vetëm pak muaj më parë, në gusht 2025, dhe ka një kapital fillestar prej 10 mijë lekësh. Aksionet e saj zotërohen nga Valon Shala, një shtetas kosovar.
Megjithatë, mediat kosovare raportojnë se investitorët realë pas kësaj transaksioni mund të jenë grupi Devolli, një nga grupet më të njohura biznesore nga Kosova. Sipas këtyre raporteve, Valon Shala ka lidhje edhe me kompaninë Art Motion, pronare e Klan Kosovës, si dhe ka punuar në Princ Caffe si menaxher i marketingut dhe shef i departamentit të shitjeve, një tjetër biznes që lidhet me grupin Devolli.


