Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) shpalli këtë pasdite vendimin për ish-deputetin e PS, Alqi Bllako, të akuzuar për korrupsion pasiv në aferën e inceneratorit të Tiranës.
Trupa gjykuese e kryesuar nga Rudina Palloj e shpalli Bllakon fajtor për përfitime prej 119 mijë eurosh dhe 7 milion lekësh, duke e dënuar me 4 vite burg. Në gjykimin e shkurtuar, dënimi u ul në 2 vite e 8 muaj burg. Përveç kësaj, i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite.
Megjithatë, masa e sigurimit “arrest në burg” do të shuhet, pasi është më e madhe se dënimi i vendosur. Gjykata ka urdhëruar që Bllako të lirohet nga qelia, nëse nuk mbahet për ndonjë dënim tjetër, që do të thotë se lirimi i tij pritet së shpejti.
Ky vendim është një nga epilogët e çështjes që ka trazuar politikën dhe publikun shqiptar lidhur me aferën e inceneratorëve.


