Një fenomen i pazakontë është vërejtur në zonën e famshme të ndaluar të Çernobilit: disa qen endacakë janë filmuar me qime të kaltërta, një pamje që ka tronditur kujdestarët e tyre dhe ka hapur debat në rrjetet sociale.
Pamjet u publikuan nga organizata “Qentë e Çernobilit” (Dogs of Chernobyl), e cila që nga viti 2017 kujdeset për rreth 700 qen që jetojnë brenda zonës së përjashtimit prej 18 miljesh katrorë. Në video, disa prej tyre shfaqen me qime të ngjyrosura në blu të ndezur — një dukuri që askush nuk e kishte parë më parë.
“Ata nuk ishin të kaltër javën e kaluar. Nuk e dimë arsyen dhe po përpiqemi t’i kapim për t’i ekzaminuar. Me shumë mundësi, janë ekspozuar ndaj ndonjë kimikati,” – shkroi ekipi në përshkrimin e videos.
Organizata, pjesë e fondacionit Clean Futures Fund, theksoi se pavarësisht ngjyrës së pazakontë, qentë duken të shëndetshëm dhe aktivë.
Sipas përdoruesve në rrjetet sociale, mundësitë variojnë nga kontaminimi me substanca kimike deri te reaksione biologjike të lidhura me mjedisin radioaktiv. Një komentues në TikTok shkroi:
“Ngjyra blu mund të vijë nga ndonjë kimikat i jashtëm, që ndoshta mund të lahet.”
Të tjerë janë shprehur të habitur që qentë ende mbeten pjellorë dhe aktivë pas dekadash jetese në një mjedis të kontaminuar.
Këta qen janë pasardhës të kafshëve shtëpiake të lëna pas kur banorët u evakuuan në vitin 1986, pas shpërthimit të reaktorit bërthamor — një nga katastrofat më të mëdha në historinë e njerëzimit.
Që prej asaj kohe, Zona e Përjashtimit të Çernobilit (CEZ) ka mbetur e braktisur nga njerëzit, por jeta e egër është rritur me shpejtësi, duke përfshirë drerë, ujq, zogj grabitqarë dhe qentë e adaptuar ndaj kushteve ekstreme.
Një studim i vitit 2024 zbuloi se qentë e Çernobilit kanë zhvilluar mutacione gjenetike që i bëjnë më rezistentë ndaj rrezatimit, metaleve të rënda dhe ndotjes. Studiuesit analizuan 116 mostra gjaku dhe identifikuan dy popullata të veçanta, të ndryshme nga qentë e tjerë në rajon — duke sugjeruar se janë përshtatur për mbijetesë në një nga vendet më toksike në botë.
Megjithëse shkaku i ngjyrës blu mbetet ende mister, ekspertët e konsiderojnë këtë si një tjetër shembull mahnitës të aftësisë së natyrës për t’u përshtatur, edhe përballë rrezatimit bërthamor.


