Federata Shqiptare e Futbollit ka përfunduar procesin e aplikimeve për shortin e biletave të supersfidës Shqipëri–Angli, e cila do të zhvillohet në muajin nëntor, në kuadër të Kualifikueseve të Botërorit 2026.
Pas mbylljes së afatit për aplikime, FSHF ka nisur përzgjedhjen elektronike të fituesve, të cilët do të kenë mundësinë të ndjekin nga afër kuqezinjtë në këtë ndeshje të rëndësishme.
Sipas njoftimit zyrtar, sistemi elektronik ka përzgjedhur rastësisht tifozët fitues, ndërsa të gjithë aplikantët do të njoftohen me email nëse janë përzgjedhur apo jo — njësoj si në ndeshjen ndaj Serbisë.
Shqipëria mund të sigurojë matematikisht vendin në “Play Off” nëse fiton ndaj Andorrës, ndërsa Anglia mposht Serbinë në përballjen që do të luhet në Londër.


