Një incident fizik ka ndodhur në qendër të Prishtinës, ku deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, është përplasur me një qytetar gjatë një interviste televizive. Pamjet e momentit, të cilat janë bërë publike, tregojnë çastin kur pas një debati verbal, Zemaj qëllon me grusht mërgimtarin që e kishte quajtur “rrenc”.
Pas ngjarjes, deputeti Zemaj reagoi publikisht duke kërkuar ndjesë dhe shpjeguar se veprimi i tij ishte “reaksion në afekt” pas një provokimi verbal.
“Një qytetar më ofendoi me fjalë të papranueshme gjatë intervistës. Reagova në mënyrë të menjëhershme, por ky veprim nuk përfaqëson as bindjet e mia personale dhe as parimet që mbroj si deputet dhe anëtar i LDK-së”, shkroi ai në rrjete sociale.
Nga ana tjetër, qytetari i identifikuar si Nuha Osmani ka dhënë versionin e tij të ngjarjes, duke pohuar se është fyer rëndë, jo vetëm ai, por edhe familjarët e tij.
Policia e Kosovës ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e incidentit.


