Qeveria po përgatit ndryshime të rëndësishme në Kodin Rrugor për monopatinat, duke marrë shembuj nga vendet europiane si Holanda. Sipas burimeve të Ministrisë së Brendshme, këto ndryshime parashikojnë rregulla strikte për moshën, shpejtësinë dhe vendet ku mund të qarkullojnë këto mjete.
Pikat kryesore të ndryshimeve:
Mosha minimale: 16 vjeç e lart.
Shpejtësia maksimale: 25 km/h.
Vendqarkullimi: Vetëm brenda zonave të banuara, në korsi biçikletash ose në anën e djathtë të rrugës; ndalohet qarkullimi në autostrada, superstrada, trotuare dhe zona pedonale.
Sanksione: Mosrespektimi i rregullave mund të shoqërohet me gjobë ose sekuestrim të mjetit.
Gjithashtu, diskutohet mundësia e targimit dhe sigurimit të detyrueshëm të monopatinave, për të rritur përgjegjësinë e përdoruesve, një praktikë që ka filluar të aplikohet në disa vende europiane.
Ndryshimet janë në fazën fillestare të përpilimit dhe do të kalojnë më pas për konsultim dhe miratim në Kuvend. Qëllimi është të standardizohet përdorimi i monopatinave dhe të rritet siguria në rrugë, duke i dhënë fund përdorimeve të rrezikshme që janë parë shpesh nga drejtues të rinj.

