Shteti ka konfiskuar 7 pasuri të paluajtshme të tipit “arë”, me një sipërfaqe totale prej 15 mijë e 28 metrash katrorë, të ndodhura në bregun e lumit Drin dhe në fshatin Ishull Shëngjin.
Vendimi u ekzekutua në zbatim të urdhrit të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GjKKO) të vitit 2021, i cili është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në vitin 2022.
Pasuritë janë konfiskuar pasi dyshohet se janë përfituar nga veprimtari kriminale. Operacioni u krye nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko–Financiare në DVP Lezhë, në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
Nga pasuritë e konfiskuara, dy ndodhen në bregun e lumit Drin dhe pesë të tjera në zonën e Ishull Shëngjinit.


