Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një paneli në Chatham House në Londër, deklaroi se Kosova nuk ka asnjë çështje territoriale me shtetet fqinje dhe duhet të përqendrohet në të ardhmen e saj si një republikë e pavarur dhe e njohur ndërkombëtarisht.
“Nuk shoh çështje territoriale mes Kosovës dhe dikujt tjetër,” tha Rama, duke theksuar se Kosova është një republikë demokratike, e njohur nga Fuqitë e Mëdha, dhe duhet të ecë përpara me besim në rrugën e saj shtetërore.
Rama shtoi se për suksesin e Kosovës, vendi duhet të lërë pas marrëdhëniet e ndërlikuara me Serbinë.
“Kosova duhet të harrojë Serbinë. Është detyrë e saj të përmbushë çdo obligim, ndërsa Evropa duhet të merret me Serbinë,” theksoi kryeministri.
Në përfundim, Rama nënvizoi se çështja e Kosovës nuk duhet të shihet më si një problem mes Beogradit dhe Prishtinës, duke e rikujtuar publikisht se Kosova është një republikë sovrane dhe nuk ka probleme territoriale me asnjë vend.


