Dita e dytë e bojkotit kombëtar të avokatëve solli paralizimin e sistemit gjyqësor në mbarë vendin, pasi mbrojtësit ligjorë refuzuan të paraqiten në seancat penale në shenjë proteste ndaj arrestimit të kolegut të tyre, Uljan Bajrami, nga Prokuroria e Elbasanit.
Sipas Dhomës Kombëtare të Avokatisë, qindra seanca gjyqësore u shtynë, ndërsa më të prekurat ishin Gjykata e Posaçme në Tiranë dhe dhomat penale në rrethe.
Ndër proceset që dështuan ishte edhe gjykimi me 30 të pandehur, mes të cilëve ish-kryebashkiaku Erion Veliaj, i akuzuar për korrupsion.
Ky është bllokimi i dytë i sistemit të drejtësisë në pak muaj, pas reagimit që pasoi vrasjen e avokatit Astrit Kalasa në Durrës.
Avokatët e konsideruan arrestimin e Bajramit një sulm ndaj profesionit dhe pavarësisë së mbrojtjes ligjore.
Pas lirimit të tij, Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) ka nisur verifikimet në Prokurorinë e Elbasanit për të shqyrtuar mënyrën e veprimit të institucioneve në këtë rast.
Nga monitorimi i Dhomës së Avokatisë, bojkoti është respektuar plotësisht dhe do të vazhdojë deri të shtunën.
Megjithatë, avokatët janë udhëzuar që të marrin pjesë vetëm në seancat për masat e sigurisë, si edhe në proceset civile dhe administrative.


