Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme pesë të pandehur, mes tyre tre punonjës të Policisë Rrugore të Tiranës dhe dy shtetas civilë, të akuzuar për korrupsion aktiv dhe pasiv të funksionarëve publikë.
Në bankën e të akuzuarve do të ulen:
Roven Zeka, Shef Komisariati në Policinë Rrugore të Tiranës,
Sokol Novaku, Shef Seksioni për Hetimin e Aksidenteve Rrugore,
Edison Tabaku, Specialist në Seksionin e Hetimit të Aksidenteve Rrugore,
Ergest Vrioni dhe Bledi Belba, të dy shtetas civilë.
Sipas SPAK, më 16 prill 2025, pas një aksidenti rrugor në Tiranë, ku u përfshinë dy mjete, një i drejtuar nga Anisa Vrioni dhe tjetri nga Andri Koçi, efektivët e policisë kanë kërkuar dhe marrë 200 mijë lekë në këmbim të mosarrestimit të drejtueses Vrioni.
Hetimet zbuluan se Edison Tabaku, i cili kishte njohje të hershme me bashkëshortin e saj, Ergest Vrioni, kërkoi dhe mori paratë në bashkëpunim me eprorët e tij Roven Zeka dhe Sokol Novaku.
Ndërkohë, Bledi Belba ka ndërmjetësuar pagesën, duke i dhënë Zekës shumën prej 1000 eurosh, me qëllim që bashkëshortja e Ergest Vrionit të mos arrestohej.
SPAK i akuzon efektivët për “Korrupsion pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, ndërsa dy civilët për “Korrupsion aktiv”, të dyja të kryera në bashkëpunim. Dosja tashmë i kalon për gjykim Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë.


