Kolegji Zgjedhor ka vendosur sot afatet për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme lokale, duke konfirmuar datën 9 nëntor 2025 për Bashkitë Berat, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Vlorë. Përjashtim bën Bashkia e Tiranës, deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ankimimin e Veliajt mbi shkarkimin e tij dhe dekretin e Presidentit.
Vendimi përcakton detyrimet për institucionet publike dhe ato vendore për raportimin e veprimtarive me karakter publik, monitorimin e tyre nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, si dhe fillimin e fushatës zgjedhore më 1 nëntor 2025.
Gjendja Civile do të përditësojë listat e zgjedhësve deri më 6 tetor, ndërsa prefektët duhet të përcaktojnë vendet për Numërimin e Votave deri më 16 tetor. Afatet e tjera për regjistrimin e partive, komiteteve nismëtare, koalicioneve dhe kandidatëve variojnë nga data 16 tetor deri më 24 tetor 2025.
Akreditimi i vëzhguesve shqiptarë bëhet jo më vonë se 25 tetor, ndërsa ai i huaj jo më vonë se 6 nëntor. Rezultatet e sondazheve nuk mund të publikohen tre ditët e fundit para zgjedhjeve.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe mund të ankimohet brenda pesë ditëve në Kolegjin Zgjedhor pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.


