Një incident i pazakontë është regjistruar në kufirin Estoni–Rusi, ku njësi të armatosura ruse, të maskuara dhe pa shenja identifikuese, janë parë duke u vendosur pranë kalimit të ndjeshëm kufitar në Saatse Boot — një segment prej vetëm 1 kilometri që kalon përmes territorit rus.
Policia dhe roja kufitare estoneze (PPA) pezulluan menjëherë qarkullimin të premten, pasi burrat e armatosur “nuk ishin pjesë e trupave kufitare zyrtare”. Pamjet nga terreni treguan persona të kamufluar me fytyra të mbuluara, të rreshtuar përgjatë rrugës – një skenë që ngriti frikën e një provokimi të qëllimshëm.
“Situata përbën një kërcënim të qartë dhe potencial për përshkallëzim”, deklaroi Meelis Saarepuu, drejtues i byrosë së rojës kufitare në prefekturën jugore të PPA-së.
Rusia, nga ana e saj, i ka cilësuar lëvizjet “si operacione rutinë”, ndërsa rruga pritet të mbetet e mbyllur të paktën deri të martën.
Incidenti vjen në vazhdën e një sërë provokimesh ruse ndaj vendeve të Baltikut, përfshirë shkeljet e hapësirës ajrore dhe ndërhyrjet në sinjalet GPS.
Sipas kolonelit në pension të ushtrisë amerikane, Richard Williams, ish-zëvendësdrejtor në divizionin e investimeve të mbrojtjes në NATO, “veprimet nuk janë provokime të izoluara, por pjesë e një strategjie të gjerë ‘lufte hibride shumëplanëshe’”.
“Aktiviteti rus pranë kufirit të Estonisë është një test i drejtpërdrejtë i gatishmërisë së NATO-s, veçanërisht në rajone strategjike si Gryka Suwałki, që lidh vendet baltike me Poloninë”, shtoi ai.


