Katër prokurorë me karriera të spikatura në sistemin e drejtësisë kanë dorëzuar zyrtarisht kandidaturat për postin e kreut të Prokurorisë së Posaçme (SPAK): Doloreza Musabelliu, Adnan Xholi, Klodian Braho dhe Elvin Gokaj.
Afati për dorëzimin e kandidaturave përfundoi sot, ndërsa Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka në dispozicion dy muaj për të zhvilluar intervistat publike dhe për të vendosur me votim.
Doloreza Musabelliu — Prokurorja me profile të forta ndërkombëtare
E diplomuar me rezultate të larta në Shkollën e Magjistraturës (2002–2005), Musabelliu u emërua menjëherë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ajo ka kryer hetime të rëndësishme për trafik droge, armë dhe korrupsion, përfshirë:
Dosjen “Toyota Yaris” me miliona euro të sekuestruara në Durrës,
Hetimin ndaj Emiliano Shullazit,
Masakrën e Lushnjës (2017), për të cilën grupi i Laert Haxhiut dyshohet se ka planifikuar eliminimin e saj.
Flet frëngjisht rrjedhshëm dhe është përzgjedhur shpesh nga autoritetet franceze për hetime dypalëshe. Ka drejtuar edhe Task Forcën pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Adnan Xholi — Zëvendësdrejtuesi aktual i SPAK
Me mbi 20 vite eksperiencë, Xholi mban aktualisht postin e zv/drejtuesit të SPAK dhe shefit të seksionit të krimit të organizuar.
Ka hetuar dhjetëra grupe kriminale dhe ka zbërthyer dosje të komunikimeve të koduara SKY ECC.
Ka mbajtur poste drejtuese në Prokurorinë e Përgjithshme dhe prokuroritë lokale.
Kaloi me sukses procesin e vettingut në 2021 dhe është pjesë e trupës së prokurorëve të posaçëm që prej korrikut të atij viti.
Xholi ka kandiduar edhe më parë për postin e drejtuesit të SPAK, por nuk ka fituar.
Klodian Braho — Prokurori me eksperiencë në çështje sensitive
Braho është pjesë e SPAK që prej dhjetorit 2019, pas konfirmimit në detyrë nga KPK.
Ka hetuar çështje me profil të lartë, përfshirë edhe atë ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla.
Karrierën e nisi në Berat (2007), më pas shërbeu në Vlorë dhe në Prokurorinë për Krime të Rënda.
Në 2022 u përfshi në garën për kreun e SPAK por u tërhoq, ndërsa në 2023 dha dorëheqje nga një pjesë e dosjes së inceneratorëve pas akuzave për mungesë transparence.
Aktualisht, Braho është një nga figurat me ndikim në strukturën e posaçme.
Elvin Gokaj — Nga drejtues lokal në hetime të profilit të lartë
Gokaj e ka nisur karrierën në Prokurorinë e Matit në vitin 2000 dhe ka drejtuar për disa vite Prokurorinë e Elbasanit.
Ka hetuar çështje të rëndësishme si ajo ndaj Belind Këlliçit (fshehje pasurie dhe falsifikim dokumentesh) dhe dosjen “Buka sh.a.” që lidhet me akuzat ndaj ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj.
Pas një pezullimi nga vettingu për arsye profesionale, u rikthye në sistem dhe në dhjetor 2021 u emërua prokuror në SPAK.
KLP pritet të zhvillojë në javët në vijim seancat dëgjimore publike me secilin kandidat, ndërsa vendimi final për drejtuesin e ri të SPAK duhet të merret brenda dy muajsh.


