BRUKSEL– Janë zbuluar detaje të reja sa i takon ngjarjes tronditëse që u raportua të dielën e kaluar në periferi të Brukselit, ku një trup i pajetë u gjet i varur në pjesën e pasme të një tabele përgjatë një autostrade.
I ndjeri dyshohet të jetë shqiptari Bekim Halilaj, me të kaluar kriminale në Britaninë e Madhe.
Hetimet po e trajtojnë rastin si vrasje të lidhur me krimin e organizuar ndërkombëtar.
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e së dielës, më 28 shtator 2025, pranë zonës së Anderlechtit në Belgjikë. Trupi i të riut u gjet i varur me litar pas një tabele sinjalistike në një nga rrugët kryesore të zonës. Bazuar në informacionet e publikuara nga autoritetet belge, viktima dyshohet të jetë Bekim Halilaj, 29 vjeç, me origjinë nga Kukësi.
Policia dhe prokuroria federale hapën menjëherë hetimet dhe po e trajtojnë rastin si një ekzekutim me motive kriminale.
Një burim i afërt me hetimet ka deklaruar për mediat lokale se mënyra e ekzekutimit “i ngjan metodave të përdorura nga kartelet meksikane”, çka e bën rastin akoma më tronditës dhe të pazakontë për kryeqytetin belg.
Kush është Bekim Halilaj?
Duke ju referuar materialeve të publikuara nga mediat britanike, një person me emrin Bekim Halilaj ka qenë më parë i dënuar në Mbretërinë e Bashkuar për trafik droge.
Në vitin 2017, Halilaj ishte arrestuar së bashku me tre persona të tjerë nga Policia e Hampshire gjatë një operacioni që zbuloi shpërndarjen e kokainës me vlerë mbi 4 milionë paund në zonën e Southampton./Radar.al
Shqiptari gjendet i varur në një tabelë/ Mediat belge: Ngjan me metodat e karteleve meksikane


