Një gjest për t’u vlerësuar është regjistruar në Rahovec, ku dy qytetarë kanë dorëzuar në polici një shumë të konsiderueshme parash që kishin gjetur në rrugë.
Më 1 tetor 2025, rreth orës 13:30, në Stacionin Policor të Rahovecit janë paraqitur dy persona që kishin gjetur para në rrugën “Sheh Mihedini”. Sipas njoftimit zyrtar, shtetasi I. Sharku dorëzoi 1,000 euro, ndërsa H. Haxhimustafa dorëzoi 950 euro, duke e çuar shumën totale në 1,950 euro.
Policia bëri të ditur se më pas në stacion ishte paraqitur edhe pronari i shumës, i cili kishte raportuar humbjen e parave. Shuma iu kthye atij e plotë, ndërsa autoritetet falënderuan publikisht dy qytetarët për ndershmërinë dhe bashkëpunimin e tyre.
“Policia e Kosovës e vlerëson lartë gjestin e tyre human dhe inkurajon çdo qytetar të ndjekë këtë shembull”, thuhet në njoftimin zyrtar.


