Ish-deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, ka reaguar mbrëmjen e së hënës në emisionin “Log.” në News24 lidhur me hetimet që po zhvillohen ndaj saj dhe ish-bashkëshortit të saj, Ilir Meta, për pastrim parash dhe korrupsion pasiv.
Kryemadhi hodhi poshtë të gjitha akuzat, duke theksuar se deri më tani nuk është zbuluar asnjë pasuri e fshehur dhe se, sipas saj, dosja ndaj tyre është ndërtuar mbi perceptime mediatike dhe motive politike.
“Në apel ishin 34 fashikuj. Në seancën e masës së sigurisë ishte një tallje qesharake — talleshin me një ish-president dhe me mua si deputete. Dosja nuk ka asgjë ligjore. Është një gjueti shtrigash dhe një opinion publik i krijuar nga media të paguara dhe struktura politike,” deklaroi Kryemadhi.
Ajo iu referua edhe një sërë akuzash të bëra ndër vite në media dhe portale, të cilat i quajti të pabazuara në fakte.
“Që të ketë pastrim parash, duhet të ketë vepër penale. Që të fshehësh pasuri, duhet të gjesh cilën pasuri ke fshehur. Doli një gazetë austriake që thoshte se Ilir Meta ka miniera në Afrikë. I gjetën minierat në Afrikë? Akuzuan se unë kam bërë operacione për 280 mijë euro — i gjetën? Akuzuan se Meta ka fjetur në një dhomë me Kastriot Ismailajn — erdhi letërporosia dhe doli që nuk ka ndodhur,” tha ajo.
Sipas Kryemadhit, edhe akuza për lidhje të mundshme të Metës me biznesmenin Kastriot Ismailaj rezulton e pavërtetë.
“Doli që Ilir Meta nuk e ka favorizuar Kastriot Ismailajn, por përkundrazi e ka çuar në gjyq,” shtoi ajo.
Ish-deputetja foli gjithashtu për mënyrën si, sipas saj, disa media janë përdorur për të ndërtuar perceptime negative ndaj saj dhe Metës:
“Disa portale të financuara nga inceneratori i Tiranës kanë studio më të mira se ju. Thonë se kam offshorë në Qipro, apo se Meta ka marrë floririn e Krrabës. E ka zemrën ai flori! Nuk ka prona të fshehta,” ironizoi Kryemadhi.
Procesi hetimor ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit është aktualisht në fazën paraprake, ndërsa SPAK vijon grumbullimin e provave dhe dokumenteve financiare për të vlerësuar nëse do të ketë apo jo dërgim të çështjes në gjyq.


