Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi i ka dërguar një notë proteste Ambasadës së Kosovës në Podgoricë, pas disa të shtënave me armë që dyshohet se erdhën nga territori i Kosovës drejt zonës kufitare Hajlla–Shtedim, pranë qendrës malazeze të skive.
Në reagimin zyrtar, autoritetet malazeze kërkojnë nga organet kompetente të Kosovës të identifikojnë dhe procedojnë autorët e incidenteve, si dhe të informojnë Malin e Zi për masat që do të ndërmerren.
Sipas Ministrisë së Jashtme të Malit të Zi, bëhet fjalë për raste të izoluara, por të përsëritura. Të paktën dy incidente të ngjashme janë regjistruar deri më tani: i pari në korrik të vitit të kaluar, kur u dëmtua kabina e qendrës së skive, dhe i dyti më 24 gusht të këtij viti, kur të shtënat goditën një objekt tjetër të qendrës.
Zona ku ndodhën incidentet ndodhet rreth 1.5 kilometra nga kufiri me Kosovën. Për të dyja rastet, autoritetet malazeze dyshojnë se të shtënat kanë ardhur nga pjesa kosovare e kufirit.
Nota e protestës u dërgua pas raportimeve të përsëritura të policisë në Rozhajë, ndërsa më 22 shtator për incidentet është njoftuar edhe ambasadorja e Kosovës në Podgoricë.


