Aksioni kombëtar për lirimin e hapësirave publike, i nisur në korrik, po vijon me intensitet në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Strukturat metalike, çadrat dhe shtesat e vendosura pa leje nga subjektet private po çmontohen, duke u kthyer në hapësira të lira për qytetarët.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga operacionet në terren, ku inspektorët po çlirojnë një tjetër zonë publike të zënë nga një bar-kafe.
“Lirimi i hapësirave publike vijon”, shkroi Rama në rrjetet sociale.
Autoritetet bëjnë me dije se sipërfaqet e çliruara po rriten çdo ditë, veçanërisht në kryeqytet. Paralelisht, po nis edhe faza e dytë e programit, që parashikon projekte për sistemimin dhe përmirësimin e infrastrukturës urbane.
Qeveria ka paralajmëruar ashpërsim të ligjeve për ndërtimet pa leje dhe për inspektorët që tolerojnë shkelje të tilla. Ky proces është pjesë e programit “Rilindja Urbane 2.0”, që synon transformimin e hapësirave publike në të gjithë vendin.


