Detaje të reja nga hetimet zbulojnë se vrasja e biznesmenit italian Eduardo Sarchi, më 26 shtator në Qafën e Dilanit, ka ndodhur pas një konflikti të nisur për dritat e ndezura të makinës së tij, të cilat sipas autorit Kamber Sulçaj, e kanë verbuar gjatë një kalimi në rrugë dytësore.
Sulçaj ndoqi dhe i zuri pritë dy automjeteve ku udhëtonin Sarchi, ortaku i tij Eqerem Braçi dhe dy djemtë e tij. Pas sulmit, pasagjerët u hodhën në kanal, ndërsa Sarchi mbeti i vetëm nën breshërinë e plumbave për 40 minuta, pasi çdo lëvizje e tij shkaktonte zjarrin e autorit.
Pamjet nga kamerat e sigurisë ndihmuan policinë të gjurmonte autorin. Gjatë kontrolleve në zonën malore mes fshatrave Nivicë dhe Bolenë, u gjetën të fshehura një makinë, rroba të përdorura në krim dhe një çantë me mjete të dyshimta, përfshirë dylbi me rreze infra, dylbi termike, mbajtëse arme dhe elektrik dore.
Kontrollet në banesën e Sulçajt dhe familjarëve të tij në Mesaplik dhe Vlorë zbuluan mbi 2.5 milionë lekë, tre armë gjahu me municion luftarak, 450 fara të dyshuara Cannabis dhe dy kasaforta të mbyllura.


