Në një operacion të koordinuar ndërkombëtar, Interpol Tirana, në bashkëpunim të ngushtë me homologët e tij në Gjermani, finalizoi procedurën e ekstradimit të Fabio Ballabani, alias Fabio Zyberaj, 38 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
38-vjeçari akuzohet për dhunë dhe kërcënim me armë zjarri ndaj shtetasit K. P., bashkëshort i gjyqtares që ishte ngarkuar për gjykimin e një procesi kundër grupit kriminal ku ai bënte pjesë. Ngjarja daton në vitin 2019. Ballabani dyshohet se ka qenë pjesë e grupit kriminal të Emiliano Shullazit.
Në vitin 2024, Gjykata e Lartë (GjKKO) i caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale:
“Goditjet ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen një detyrë shtetërore”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Pas ekstradimit, Fabio Ballabani, alias Fabio Zyberaj iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ku do të kryhen veprimet e mëtejshme ligjore dhe procedurale për ndjekjen penale të tij.
Ky rast vjen si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërkombëtar dhe thekson përkushtimin e Interpol Tirana për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe luftën ndaj krimit të organizuar.


