Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me procesin në Gjykatën Speciale në Hagë, ku po gjykohen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në rrjetet sociale, Rama shpërndau një video nga një seancë gjyqësore ku shfaqet Haxhi Mazreku, ish-komandant i një njësie të UÇK-së, i cili gjatë dëshmisë së tij tha mes të tjerash:
“UÇK-ja ka qenë si dikur çobanët… Unë kam mbaru një hytbe, se unë jam mjeshtër i drurit, hytbe të xhamisë prej druri… Jam mjeshtër dhe mjeshtër me kualitet.”
Kryeministri e shoqëroi videon me komentin ironik:
“Nuk e besoj dot ku e kanë gjetur një dëshmitar kaq serioz, po nuk i thonë kot drejtësi ndërkombëtare, nivel i lartë shumë.”
Mazreku ishte thirrur si dëshmitar nga akuza, ndërkohë që në Hagë po vazhdojnë të dëgjohen edhe dëshmitarët e mbrojtjes, përfshirë ish-ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, James Rubin, dhe ish-këshilltarin ligjor të delegacionit të Kosovës në Rambuje, Paul Williams.
Mbrojtja e Hashim Thaçit ka planifikuar të sjellë 11 dëshmitarë, ndërsa pas tyre do të dëshmojnë dy të tjerë të thirrur nga mbrojtja e Jakup Krasniqit.
Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi akuzohen për krime të pretenduara të luftës dhe ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020.


