Një aksident i rëndë me pasojë vdekje ka ndodhur sot pasdite në fshatin Qungur të Pejës.
Mediat në Kosovë bëjnë të ditur se viktima është Eldion Kelmendi, vëllai i reperit të njohur Besart Kelmendi – Gjesti, fitues i edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania.
Ngjarja ndodhi rreth orës 14:00, kur një veturë u përplas me një katërçikletë, duke shkaktuar vdekjen e një personi në vend dhe plagosjen e rëndë të një tjetri. I lënduari, me inicialet K.B., ndodhet në gjendje kritike dhe po i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale në spitalin e Pejës.
Zëdhënësi i Policisë së Pejës, Fadil Gashi, konfirmoi aksidentin, duke deklaruar se ekipet policore dhe ato mjekësore kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në komunitetin lokal dhe tek fansat e reperit Gjesti. Ndërkohë, hetimet për shkaqet e aksidentit vijojnë, ndërsa Policia nuk ka dhënë ende një deklaratë zyrtare për identitetin e viktimës.


