Një dokument i veçantë arkivor nga Shtetet e Bashkuara ka zbuluar përmbajtjen e një bisede telefonike që ndodhi në një moment vendimtar për Kosovën, më 20 qershor 1999. Vetëm pak ditë pas përfundimit të fushatës ajrore të NATO-s, tërheqjes së forcave serbe nga Kosova dhe nënshkrimit të marrëveshjes për demilitarizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, presidenti amerikan Bill Clinton u lidh drejtpërdrejt me liderin e atëhershëm të UÇK-së, Hashim Thaçin.
Telefonata u zhvillua nga hoteli Hyatt në Köln, Gjermani, ku Clinton ndodhej për samitin e G-8. Për rreth dhjetë minuta, dy figurat diskutuan për të ardhmen e Kosovës, rolin e UÇK-së, kthimin e refugjatëve, rindërtimin e vendit dhe nevojën për të respektuar të drejtat e pakicave.
Në transkriptën e publikuar, Clinton e përgëzon Thaçin për nënshkrimin e marrëveshjes për transformimin e UÇK-së, duke e cilësuar si një ditë të rëndësishme që koincidonte me tërheqjen e plotë të forcave serbe nga Kosova. Ai i premtonte se SHBA-ja do të angazhohej për siguri, ndërtimin e një force policore vendore dhe për vetëqeverisje të vërtetë për kosovarët.
Thaçi, nga ana tjetër, i përgjigjej se ky sukses ishte i përbashkët, duke e quajtur një kompromis të domosdoshëm për paqen dhe stabilitetin në rajon. Ai i garantonte presidentit amerikan se UÇK-ja dhe udhëheqësit e saj do të respektonin të drejtat e njeriut dhe të gjitha pakicave etnike në Kosovë – një zotim që Clinton e vlerësonte si thelbësor për të dëshmuar se kauza kosovare ishte e drejtë dhe e ligjshme përballë botës.
Në bisedë u prekën edhe tema të tjera madhore: rindërtimi i Kosovës, kthimi i qindra mijëra refugjatëve, krijimi i një shoqërie civile funksionale dhe organizimi i zgjedhjeve të lira e pluraliste. Thaçi i kërkonte mbështetje Clintonit, duke e cilësuar këtë periudhë si fillimin e një “beteje të re” për Kosovën.
Sipas ish-ndihmësit të Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, i cili ka dëshmuar këto ditë në Hagë, kjo bisedë ishte një nga momentet që e forcoi besimin e administratës amerikane te Thaçi. Rubin tha se Clinton e kishte përshkruar si mbresëlënëse mënyrën se si Thaçi, në kushte të pasigurta lufte, pa ndonjë përgatitje paraprake, dha mesazhe të qarta dhe paqësore që përcollën pjekuri politike.
Sot, ndërsa Hashim Thaçi ndodhet në Gjykatën Speciale në Hagë, i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, kjo transkriptë risjell në vëmendje një prej kapitujve më vendimtarë të karrierës së tij politike dhe marrëdhënies së Kosovës me Shtetet e Bashkuara.


