Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) miratoi sot raportin dhe listën përfundimtare të renditjes së kandidatëve që aplikuan për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese, të hapur nga Gjykata e Lartë më 11 dhjetor 2024.
Pas verifikimit të saktësisë së pikëzimit total për secilin kandidat, KED ka miratuar renditjen përfundimtare:
1. Asim Vokshi – 89.5 pikë
2. Naureda Llagami – 89.3 pikë
3. Florian Ballhysa – 77.83 pikë
4. Alma Faskaj – 77.77 pikë
5. Genta Tafa (Bungo) – 75.44 pikë
6. Alban Toro – 74.22 pikë
Kjo fazë përmbush detyrimin ligjor të KED për të përcjellë aktet pranë organit të emërtesës dhe për publikimin e tyre.
Procedura për plotësimin e vendit vakant u hap nga Gjykata e Lartë në dhjetor 2024 pas përfundimit të mandatit të gjyqtares Holta Zaçaj. Pas mbylljes së afatit ligjor për aplikimet, Gjykata e Lartë i dërgoi KED listën e kandidatëve të interesuar, së bashku me dokumentacionin që provon përmbushjen e kushteve dhe kritereve të përcaktuara ligjërisht.


