Një arsenal armësh është zbuluar në veri të Kosovës. Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se municion, pajisje ushtarake e policore dhe veshje kamuflazhi janë gjetur në pronën e Nemanja Radivojeviq, i njohur si “Gandi”.
Sipas Sveçlës, këto gjetje konfirmojnë përfshirjen direkte të Radivojeviqit në organizimin e sulmit terrorist në Banjskë, ku humbi jetën rreshteri policor Afrim Bunjaku.
“Refuzimi i Serbisë për të ekstraduar këta persona është një pengesë serioze për drejtësinë dhe sigurinë në rajon. Për aq kohë sa ata mbrohen në Serbi, mbeten një rrezik i drejtpërdrejtë për Republikën tonë,” deklaroi Sveçla.
Ai theksoi se grupi kriminal i dirigjuar nga Serbia vijon të planifikojë veprime destabilizuese, por siguroi qytetarët se institucionet e sigurisë janë të gatshme për të përballuar çdo kërcënim.
“Shteti ynë është më i fortë se kurrë dhe nuk do të lejojë që elementet kriminale e terroriste të cenojnë Kosovën,” u shpreh ai.


