Një ngjarje e rëndë kriminale ndodhi mëngjesin e së hënës në Shkodër, ku dy persona humbën jetën dhe dy të tjerë u plagosën në një lokal pranë shkollës “Kolë Idromeno”, afër bashkisë së qytetit.
Nga breshëria e plumbave mbeti i vrarë Armando Pali, punonjës i IMT Shkodër dhe ish-anëtar i Këshillit Bashkiak, ndërsa pak më vonë në spital ndërroi jetë Liridon Kraja alias Lushi, 31 vjeç, dhëndër i fisit Bajri.
Në momentin e sulmit, viktimat ishin në tavolinë së bashku me Erogen Vason alias Bajroviç, i dyshuari si shënjestra kryesore e atentatit, dhe Meri Kacerri, 25-vjeçare dhe kameriere në lokal, e cila mbeti e plagosur.
Hetuesit zbuluan se autori i dyshuar, Ragip Gila, ndiqte viktimat brenda lokalit dhe qëlloi me breshëri plumbash. Më pas ai u largua në këmbë me armë zjarri për rreth 300 metra, nga rruga Don Bosko deri në Perash, duke braktisur motorin pranë vendit të ngjarjes.
Autori më pas grabiti një automjet duke kërcënuar drejtuesin me armë dhe, pasi aksidentoi makinën në zonën e Sarreqit, u kap nga policia nën shinat e trenit në shtratin e lumit Kir.
Ragip Gila ka precedentë të mëparshëm kriminalë; në dhjetor 2023 u arrestua pasi në banesën e tij iu gjetën armë, maska dhe jelekë antiplumb që dyshohet se do të përdoren për ngjarje kriminale.


