Trajneri i Shqipërisë, Sylvinho, shprehu optimizëm para sfidës së rëndësishme ndaj Letonisë, që zhvillohet të martën në “Air Albania”, me synimin e vetëm: 3 pikët, të vetmet që mund ta mbajnë Shqipërinë në garë për kualifikimin në Botëror.
“Nuk jam i shqetësuar, atmosfera në Kombëtare mbetet e mirë. Sigurisht që do të jetë një ndeshje kyçe. Po flasim për gjëra të ndryshme. Ndeshjet për të shkuar në Botëror janë të vështira. Pamë dy ditë më parë ndeshjen Letoni-Serbi; ishin minuta të forta. Në futbollin modern, rezultate 6-0 ndodhin rrallë dhe kryesisht ekipeve si Spanja. Ne nuk jemi në atë nivel”, tha trajneri.
Ai vuri në dukje karakterin fizik të Letonisë: “Luftojnë gjithmonë për topin e tyre dhe janë të fortë në goditjet standarde. Ndeshja me Gjibraltarin ishte një tjetër atmosferë. Në Kombëtare, gjithçka ndryshon nga puna në klub. Dua të shoh lojtarët e rinj dhe të përgatitemi mirë.”
Sylvinho shtoi se momenti aktual në Kombëtare është pozitiv: “Edhe pse ka presion, kur ke gjithçka në dorë vetë, është moment i mirë. Kur ke rezultat të mirë, gjërat ndryshojnë për mirë. Më shumë shqetësohem për lojtarët që kanë ndryshuar trajner apo ekip sesa për ata që nuk luajnë shumë në klubet e tyre.”
Ai theksoi gjithashtu fleksibilitetin në zgjedhjen e lojtarëve: “Ka ndodhur të sjell një lojtar që nuk kishte luajtur në ndeshjet e fundit, dhe kjo nuk më shqetëson.”


