Mariza Kola, motra e Kristian Kolës, 34-vjeçarit që u ekzekutua pak ditë më parë në qendër të Shkodrës, ka folur me dhimbje për Euronews Albania, duke ngritur dyshime të forta për mënyrën si është trajtuar ngjarja nga autoritetet.
Ajo tha se vëllai i saj ishte një njeri i qetë, pa precedent penal dhe pa armiqësi me askënd, duke shtuar se lajmin e hidhur e mori nga shokët e tij, jo nga familjarët apo autoritetet.
“Vëllai ka punuar vetëm në ndërtim, nuk është marrë kurrë me asgjë tjetër. Asnjëherë nuk ka pasur konflikt me dikë. Nuk na kanë thënë asgjë deri tani, nuk është e lehtë ta pranosh këtë,” – u shpreh Mariza për Euronews Albania.
Ajo tregoi se babai i tyre nuk është lejuar të shihte trupin e Kristianit pas ngjarjes, ndërsa ambulanca sipas saj ka vonuar për të mbërritur në vendin e ngjarjes.
“Është detyrë e policisë të zbardhë këtë krim, por unë dyshoj se policia është e implikuar. Dua vetëm drejtësi,” – përfundoi ajo.
Kristian Kola u qëllua për vdekje me armë zjarri në një lokal pranë “Kinema Republikës”, ndërsa autorët u larguan menjëherë dhe ende nuk janë identifikuar.


