Kristian Kola, 34 vjeç, u ekzekutua mbrëmjen e së mërkurës në zemër të Shkodrës nga dy persona ende të paidentifikuar.
Autorët, që lëviznin me motor dhe ishin të maskuar me skafandër, qëlluan ndaj tij me 8 plumba nga një armë gjysmë silenciator, duke e lënë të vdekur në vend. Hetuesit dyshojnë se atentati është kryer nga vrasës profesionistë, pasi qitësi nuk gaboi asnjë shënjestër dhe lëvizjet e tyre tregonin për një plan të studiuar më herët.
Nga rindërtimi i skenës së ngjarjes, rezulton se viktima ndiqte çdo ditë të njëjtin itinerar: pinte kafe në të njëjtin lokal dhe në të njëjtin orar. Vrasësve u mjaftuan më pak se 60 sekonda për të përfunduar atentatin dhe më pas u zhdukën në zonën pranë stacionit të trenit.
Pamjet e kamerave të sigurisë janë aktualisht shpresa kryesore e hetuesve për të zbardhur identitetin e tyre.
Motivi i ekzekutimit mbetet ende i paqartë. Fillimisht policia hetoi pistën e një konflikti të vitit 2023, ku Kola ishte përfshirë në një plagosje, por ajo u zbeh. Edhe konfliktet e mundshme për çështje biznesi nuk janë konsideruar të forta.
Familjarët e viktimës nuk kanë pranuar të japin informacion mbi të shkuarën e tij, duke e lënë ende të errët prapaskenën e këtij atentati të bujshëm në Shkodër.


