Ministria e Bujqësisë ka njoftuar se 5.5 tonë pjeshkë nga Divjaka, të kontaminuara me nivel të lartë nikeli, janë asgjësuar në Kroaci dhe nuk janë rikthyer në Shqipëri.
Sipas komunikatës zyrtare, produkti nuk ka hyrë në tregun vendas, ndërsa sistemi i gjurmueshmërisë ka treguar se i gjithë prodhimi ishte eksportuar.
Autoritetet kroate morën vendimin për shkatërrim pasi niveli i lartë i nikelit, metal i rëndë kancerogjen, përbënte rrezik serioz për shëndetin e konsumatorëve.
Ekspertët e sigurisë ushqimore japin dy pista kryesore:
– Spërkatja me pesticide që përmbajnë metale të rënda;
– Vaditja e tokës me ujë nga lumenjtë Devoll dhe Shkumbin, të cilët mund të jenë të ngarkuar me nikel.
“Pesticidet e reja shpesh kanë përbërje të tillë, ndërsa nikeli është një nga metalet më të rrezikshme për shëndetin”, thotë Kapllan Sulaj.
Ndërsa eksperti Shpend Ahahini paralajmëron se pa analiza të detajuara nuk mund të përcaktohet burimi i ndotjes: “Uji i lumenjve që furnizon tokën është një nga pistat më të mundshme.”
Specialistët kërkojnë që sistemi i gjurmueshmërisë të mos tregojë vetëm destinacionin e produktit, por edhe arsyen e kontaminimit, për të përcaktuar nëse përgjegjësia është e fermerëve, e tokës apo e burimeve ujore.


