Në fshatin Komogllavë të komunës së Ferizajt në Kosovë, Arbresha Beqiri kujdeset për lopët dhe viçat e saj. Prej 14 vitesh, ajo dhe bashkëshorti, bashkë me pjesën tjetër të familjes, zotërojnë fermën, e cila është burimi kryesor i financave.
“Ne kujdesemi për 30 lopë qumështore dhe 10 viça. Në ditë marrim 450 litra qumësht dhe e dërgojmë në pikën grumbulluese. Atje përpunohet dhe shpërndahet më tej” – thotë për DW sipërmarrësja e re.
Emigrimi, me shpresën për një të ardhme më të mirë
Në vitin 2022 ajo dhe bashkëshorti morën rrugën e migrimit për në Slloveni, ku menduan të ndërtojnë jetën. Pasi qëndruan atje për pak kohë, vendosën të kthehen në fshat dhe të rigjallërojnë biznesin familjar. Një grant i dhënë nga Ministria gjermane për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin (BMZ), përmes shoqatës humanitare “CARE”, u mundësoi të blinin pajisje për punimin e tokës dhe ushqyerjen e bagëtive.
Çdo anëtar i familjes Beqiri investon pjesën më të madhe të kohës për fermën. Megjithatë, ajo që duket se e shijon më tepër sipërmarrjen është Arbresha. “Është mirë të jesh e pavarur dhe të punosh si për vete ashtu edhe për fëmijët, për familjen. Unë kujdesem si për vajzat, ashtu edhe për fermën” – thotë ajo.
Dikur refugjate lufte, sot sipërmarrëse
Pak kilometra larg Prishtinës, në Bërnicë të Poshtme, Gjyla Thaçi po kontrollon specat në serrën e saj. Ajo ka përfunduar ditën e saj të punës si mësuese e shkencave juridike dhe pjesën e mbetur të ditës e kalon tek sipërmarrja e re, për të cilën ndihet krenare.
E rritur që fëmijë mes bujqësisë, Gjyla nuk u shkëput kurrë nga dashuria për tokën dhe të mbjellat. Sot ajo zotëron serrën prej 200 metrash katrorë, ku kultivon perime të freskëta. Por fillimisht, pa marrë mbështetjen nga fondet e BMZ, produktet rriteshin në fushë, çka nënkuptonte sfida më të mëdha për Gjylën.
“Fillimisht ka qenë e vështirë. Ka pasur sfida, sepse kultivimi i bimëve jashtë serrave ka një rrezikshmëri të lartë, për shkak të kushteve atmosferike. Mirëpo kur ndërtuam serrën, iu shmangëm rrezikut dhe kultivimi u bë më i mirë dhe me rendiment më të lartë” – thotë Gjyla për Deutsche Welle-n.
Kosova – “Vendi i mundësive”
Gjatë luftës, ajo dhe familja e saj jetuan për rreth tre vjet në Austri. Por me mbarimin e luftës, ata nuk kishin asnjë dilemë për rikthimin. “Ndihem mirë në vendin tim. Kosova është vend në tranzicion dhe dihet që ka shumë sfida, por këtu është vendi i mundësive. Vetëm të kesh dëshirë dhe vullnet”.
Edhe Makfire Avdiu, nga fshati Gaçkë në Ferizaj, u largua me familjen drejt Gjermanisë për t’i shpëtuar luftës. Atje fitoi eksperiencë duke punuar në serrë, dije të cilat po i përdor edhe sot. Njësoj si Gjyla, ajo u rikthye në Kosovë dhe sot zotëron serrën 300 metra katrorë, multikultivatorin dhe panelin diellor, të cilat i vijnë në ndihmë për të gjitha proceset bujqësore. “Bimëve duhet t’u rrish gati. Bima nuk të pyet nëse je lodhur, nëse është vapë apo natë, por duhet të kujdesesh për të. Për serrën duhet të zgjohesh herët dhe të punosh në mbrëmje, deri vonë” – thotë Makfirja.
Në rrugëtimin e saj drejt sipërmarrjes, ajo ka ndeshur dhe paragjykime, të cilat çuditërisht i ka ndjerë më së shumti nga gratë e tjera.
“Ua tregoj rrugëtimin tim dhe se çfarë do të thotë të jesh e pavarur, të punosh vetë dhe të kesh kartën tënde të bankës e të mos varesh nga burri. Derisa të kem shëndet edhe jetë, nuk ndalem”.
“Gratë për gratë”: Financa më të mira, ndryshim mentaliteti